Kirurgji e Gjendrave të Pështymës

Gjendrat e pështymës, gjendra parotis e cila është më e madhja (gjendra përreth veshit), dhe gjendra submandibulare (gjendra nën këndin e nofullës) prodhojnë sekrecione të cilat i derdhin në gojë dhe shërbejne për të lehtësuar përtypjen, gëlltitjen, mbrojtur dhëmbët dhe tretur ushqimet. Këto gjendra mund të zmadhohen për shkaqe të ndryshme si në rastin e infeksionit të tyre (shytat) apo nga tumore beninje ose malinje. Në pjesën më të madhe të rasteve (në 80% të rasteve) këto gjendra preken nga tumoret beninje të cilat në gjendrën parotis mund të vendosen në të gjitha lobet e saj por më shpesh ndeshen në lobin e sipërm. Nuk përjashtohen edhe tumoret malinje të cilat shpesh paraqiten si masa jo të rregullta, të fiksuara me indet dhe të forta në prekje. Në rastet e tumoreve të gjendrës parotis i sëmuri paraqitet me një masë të vendosur përpara veshit me shtrirje drejt nofullës së poshtme.

Heqja e gjendrave të pështymës kryhet në rastet e tumoreve beninje apo malinje, infkesionet kronike të tyre, bllokimet e kanaleve të tyre kryesisht nga gurët.

Ndërhyrja kryhet nën anestezi gjenerale. Prerja kryhet përpara veshit duke respektuar linjat natyrale, vazhdon mbrapa veshit dhe pastaj zbret poshtë në pjesën anësore të qafës. Pasi ngrihet lëkura ekspozohet e gjithë gjendra duke e vecuar atë plotësisht nga muskujt. Kjo ndarje e plotë e gjendres nga muskujt do të na ndihmojë të identifikojmë më lehtë nervin e fytyrës (nervin facial) i cili e përshkon gjëndrën përmes në formën e gishtave të dorës. Identifikimi dhe ruajtja e nervit varet nga respektimi i anatomisë kirurgjikale dhe mbi të gjitha nga eksperienca e kirurgut. Për të lehtësuar ruajtjen e nervit, kirurgjia në ditët e sotme kryhet nën monitorimin e nervit facial duke ruajtur nervin gjatë rrugës së tij në gjendrën e pështymës. Është shumë e rëndësishme ruajtja e nervit facial pasi dëmtimi i tij shkakton deformim të fytyrës me tërheqje të buzës, pa aftësi për të mbyllur syrin dhe lotimin e tij, si dhe pamundësi për të rrudhur ballin.

Heqja e plotë e gjendrës kryhet në rastet kur tumoret beninje janë shumë të mëdha, ndërsa në rastet e tumoreve malinje rekomandohet heqja e plotë sëbashku me nervin facial.

Lexo: Parotidektomia

Pështymës