Setoplastika

Setoplastika

Septoplastika është një procedurë kirurgjikale për të rregulluar kockën dhe kërcin që ndan hapësirën midis dy hundëve tuaja (septumi). Kur septumi është i shtrembër ai njihet si septum i devijuar. Një septum i devijuar mund ta bëjë më të vështirë frymëmarrjen përmes hundës dhe mund të rrisë rrezikun e infeksioneve të sinusit. Gjatë septoplastikës, septumi ripozicionohet në mes të hundës. Pas shërimit lehtësohet procesi i frymëmarrjes.
Si të përgatiteni?
Para caktimit të septoplastikës duhet të takoheni me doktorin për të diskutuar përfitimet dhe rreziqet e operacionit. Ky takim zakonisht përfshin:

  • Historinë tuaj mjekësore. Mjeku do të pyesë për kushtet që keni ose keni patur, si dhe çdo ilaç aktual ose shtesë që mund të jeni duke marrë.
  • Një ekzaminim fizik. Realizohen teste fizike. Doktori do të inspektojë lëkurën tuaj, pjesën e brendshme dhe të jashtme të hundës.
  • Fotografi. Mund të realizohen fotografi të hundës suaj nga kënde të ndryshme. Doktori mund t'i përdorë këto foto për diskutim përpara septoplastikës ose për referencë gjatë dhe pas operacionit.
  • Një diskutim i pritshmërive tuaja. Doktori do të shpjegojë se çfarë mund të bëjë septoplastika për ju dhe cilat mund të jenë rezultatet përfundimtare.
Procedura e septoplastikës
Një septoplastikë zgjat diku nga 30 deri në 90 minuta, varet nga kompleksiteti i gjendjes. Ndërhyrja mund të kryhet nën anestezi lokale ose të përgjithshme, në varësi të asaj që ju dhe mjeku juaj vendosni. Pas procedurës, duhet të qëndroni një ditë në klinikë dhe shërimi i përgjithshëm është pas tre ditësh.

Gjatë procedurës
Procedura mund të bëhet me anestezi lokale ose të përgjithshme.
  • Anestezia lokale. Kjo lloj anestezie është e kufizuar. Doktori injekton ilaçe për mpirjen e dhimbjes në indet tuaja të hundës.
  • Anestezi e përgjithshme. Kjo lloj anestezie ndikon në të gjithë trupin tuaj dhe shkakton një gjendje të përkohshme të pavetëdijes.
Bisedoni më parë me mjekun tuaj se cila lloj anestezie është më e mira për ju.
Medikamentet
Shmangni ilaçet që përmbajnë aspirinë ose ibuprofen para dhe pas operacionit. Këto ilaçe mund të rrisin gjakderdhjen. Merrni vetëm ato ilaçe të aprovuara ose të përshkruara nga doktori.
Masa të tjera paraprake
Nëse pini duhan, ndaloni pirjen e duhanit. Pirja e duhanit rrit rrezikun për të pasur probleme gjatë dhe pas operacionit. Pirja e duhanit mund të ngadalësojë procesin e shërimit.
Disa masa që duhen patur parasysh pas operacionit:
  • Ngrini kokën kur jeni duke fjetur.
  • Mos i shfryni hundët me forcë.
  • Vishni rroba të lirshme në mënyrë që të mos keni kontakt me zonën ku është kryer ndërhyrja.
  • Shmangni aktivitetet e lodhshme të tilla si gjimnastika dhe vrapi deri në pesë javë, për të mos dëmtuar hundën.
Rezultatet
Nga tre deri në gjashtë muaj pas operacionit, indet tuaja të hundës do të jenë relativisht të qëndrueshme. Mund të ndodhin ndryshime deri në një vit ose më shumë pas operacionit.
Shumica e njerëzve zbulojnë se septoplastika përmirëson simptomat e tyre, të tilla si vështirësia në frymëmarrje, që shkaktohen nga septumi i devijuar. Niveli i përmirësimit që pritet nga septoplastika ndryshon nga personi.
Disa njerëz zbulojnë se simptomat e tyre vazhdojnë edhe pas operacionit dhe vendosin t’i nënshtrohen një septoplastike të dytë për të rafinuar më tej hundën dhe septumin.