Heqja e tumoreve të laringut

TUMORET BENINJË TË LARINGUT

Tumoret beninje të laringut janë masa të mirë kufizuara që vendosen kryesisht në buzët e lira të kordave të zërit dhe tek i sëmuri shkaktojnë ngjirje të zërit. Në tumoret beninje të laringut bëjnë pjesë, nodujt laringealë, polipet e laringut, papilomat, cistet dhe granulomat e kontaktit.
Nodujt e laringut shkaktohen nga trauma e kordave të zërit dhe kryesisht lidhen me tensionimin apo përplasjen me forcë të kordave në 1/3 e mesme të tyre. Shfaqen më shpesh te përdoruesit profesionistë të zërit si këngëtarët, arsimtarët dhe tek personat që flasin me pasion.
Shkaqet e polipeve të laringut mbeten ende të paqarta por mendohet se polipi formohet si pasojë e organizimit të hematomës që formohet pas një traume të kordave të zërit.
Papilomat e laringut shkaktohen nga HPV (human papilome virus) dhe mund të shfaqet në moshat pediatrike dhe në të rriturit me një shpeshtësi pothuaj të njëjtë.
Cistet e laringut mund të shfaqen në kordat e vërteta dhe të rrema të zërit. Shkaktarët edhe në këto masa mbeten ende të paqarta por mendohet se është një zgjerim jo normal i mukozës së kordave vokale të rrema.
Granuloma e kontaktit është formacion beninj që shfaqet më shpesh në pjesën e pasme të kordave të zërit.
Shkaqet e granulomës së kontaktit mund të jenë trauma kronike e laringut siç ndodh në intubimet e zgjatura, refluksi gastroezofageal dhe trauma e kordave të zërit.
Të gjitha këto tumore shkaktojnë ngjirje zëri dhe vështirësi në të folur. Në mëngjes cilësia e zërit është më e mirë, ndërsa gjatë ditës si pasojë e lodhjes së laringut cilësia e zërit prishet.
Trajtimi i tumoreve beninje të laringut kryhet nëpërmjet heqjes endoskopike të tyre nën anestezi të përgjithshme. Heqja kryhet me microdebrider për të eliminuar rishfaqjen e tyre. Mbas heqjes këto masa konsiderohen të shëruara. Procedura kryhet brenda ditës dhe i sëmuri pas disa orësh mund të largohet nga spitali.

TUMORET MALINJË TË LARINGUT

Tumoret malinje të laringut janë masa që mund të vendosen në të gjitha pjesët e laringut dhe shfaqen në moshat mbi 40 vjeç.
Shkaqet e kancerit të laringut janë konsumimi i duhanit dhe alkoolit. Në 90-95% të rasteve kanceri i laringut shfaqet në fumatorët dhe alkolistët. Të sëmurët që kanë pirë duhan mbi 20 vjet dhe mbi 20 cigare në ditë janë më shumë të rrezikuar për tu prekur nga kanceri i laringut. Nëse konsumojnë edhe alkool këta të sëmurë janë 13 herë më të rrëzikuar për tu prekur nga kanceri i laringut. Si shkaqe të tjera mund të përmendim refluksin gastroezofageal, rrezatimet jonuzuse, pluhurin e drurit, materialet plastike në punonjësit e industrisë plastike dhe tekstile, dhe faktorin gjenetik.
Shenjat klinike ndryshojnë në varësi të vendit të vendosjes së masës tumorale në laring. Kur tumori vendoset në kordat e zërit shenja kryesore është ngjirja e zërit. Kur tumori vendoset mbi kordat e zërit të sëmurët ankojnë për dhimbje fyti dhe vështirësi në gëlltitje. Në stade të avancuara masa tumorale rritet dhe mund të bllokojë gjithë hyrjen e laringut duke shkaktuar vështirësi në frymëmarrje. Përhapja e kancerit nëpërmjet rrugëve limfatike mund të shfaqet me masë në qafë.
Trajtimi i kancerit të laringut varet nga stadi në të cilin paraqitet i sëmuri. Stadi i I trajtohet me heqjen endoskopike të masës tumorale me microdebrider nën anestezi gjenerale dhe më pas radioterapi. Stadi i II trajtohet me heqjen e gjysmës së laringut ose të një pjese të tij ( kjo në varësi të lokalizimit të kancerit ). Në stadin e III dhe të IV kryhet heqja e plotë e laringut (laringektomi totale) dhe më pas radioterapi. Nëse i sëmuri ka edhe gjendrra limfatike në qafë kryhet edhe pastrimi i qafës nga to. Kur gjendrat limfatike përmbajnë qeliza kanceroze (e vërtetuar me biopsi) përveç radioterapisë aplikohet edhe kimioterapi.